BLEJ ONLINE

 Argjentina Ramosaj Photo Foto

Tani kam përfunduar një këngë të re, në bashkëpunim me dy DJ të famshëm holandezë dhe producentë holandezë. Kjo këngë do të lansohet në natën e Vitit të Ri.

Erdhët në muzikën shqipe si një yll i vërtetë, por a mund të dimë se çka keni bërë para se të bëheshit kaq e famshme?

Argjentina Ramosaj: Kam studiuar dhe jam marrë me fotografi.

“Kosova Sot”: E keni imagjinuar ndonjëherë që kaq shpejt do të arrini këtu ku jeni?

Argjentina Ramosaj: Jo, prandaj ndihem shumë e lumtur që publiku po më vlerëson dhe po i pëlqen këngët e mia.

“Kosova Sot”: Ju jetoni në Holandë. Na tregoni kur keni emigruar në atë vend dhe në cilin qytet jetoni?

Argjentina Ramosaj: Kam emigruar kur kam qenë një foshnje katërmuajshe dhe kam jetuar 18 vjet me familjen time, kurse tash e dy vjet bashkëjetoj me të fejuarin tim në qytetin Den Bosh.

“Kosova Sot”: Tash, që jeni kaq e famshme, keni menduar të ktheheni në Kosovë për të jetuar, apo sërish do të vazhdoni të jetoni në Holande?

Argjentina Ramosaj: Tani kemi një banesë në Prizren dhe një në Prishtinë, udhëtojmë shpesh, sepse kërkohet nga ky profesion që vazhdimisht të jemi në lëvizje.

“Kosova Sot”: Kënga që morët pjesë në “Kënga Magjike” është pëlqyer tej mase nga të gjithë. Çka e bën këtë këngë kaq të veçantë?

Argjentina Ramosaj: Është një këngë që ka një tekst dhe melodi shumë prekëse dhe identifikohem edhe me tekstin.

“Kosova Sot”: Mendonit se kënga juaj meritonte të ngjitej edhe më lart në “Kënga Magjike 2010”?

Argjentina Ramosaj: Nëse do të ishte votimi nga publiku, besoj që do të ishte pozicionuar më lart në listë.

“Kosova Sot”: Duket se bashkëpunimi juaj me Flori Mumajesin ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Do të vazhdoni të bashkëpunoni edhe më tutje me të?

Argjentina Ramosaj: Patjetër, sepse ai është kompozitor shumë i talentuar dhe këtë e ka dëshmuar prej vitesh, ngase shumë këngëtarë bashkëpunojnë me të.

Këngë të re për fundvit

“Kosova Sot”: Na tregoni disa nga këngët që i keni bërë deri tani?

Argjentina Ramosaj: Kënga e parë ka qenë “Shpirt i mbytur”, kompozim nga Flori Mumajesi, që është lansuar edhe me videoklip. Kënga e dytë titullohet “Tip”-“Scream” (versioni anglisht), kompozim nga Enis Presheva, që po ashtu ka dalë me videoklip. Kënga e tretë është “Jeta vazhdon”, po ashtu e shoqëruar me videoklip të punuar nga produksioni “Entermedia” dhe kompozim i Flori Mumajesit. Kënga e fundit është “Engjëjt qajnë”, që e kam promovuar në “Kënga Magjike 2010”, e cila këngë po ashtu është kompozim i Flori Mumajesit.

“Kosova Sot”: Shumë këngëtarë për festën e Vitit të Ri editojnë këngë të reja. Ju do të editoni ndonjë këngë të re?

Argjentina Ramosaj: Tani kam përfunduar një këngë të re, në bashkëpunim me dy DJ të famshëm holandezë dhe producentë holandezë. Kjo këngë do të lansohet në natën e Vitit të Ri.

“Kosova Sot”: Keni menduar të editoni ndonjë album muzikor në vitin 2011?

Argjentina Ramosaj: Sigurisht që kam menduar dhe shpresoj që në vitin 2011 ta editoj albumin.

“Kosova Sot”: Mund të na thoni se kush është i fejuari juaj?

Argjentina Ramosaj: Është Valon Hoti dhe besoj që kjo përgjigje mjafton.
Intervistoi: B. ZYBERI

0 comments